
Thirrje për mobilitet Erasmus+ në University of Rzeszów
Semestri veror 2026/2027 · Rzeszów, Poloni
Hybrid & Career-Driven Education
Bursë Erasmus+ për studentë dhe staf në Poloni. Apliko deri me 5 tetor.
Përmbajtja
Kolegji Universum – Ferizaj hap thirrjen për mobilitet Erasmus+ në University of Rzeszów (Uniwersytet Rzeszowski), Poloni. Mobiliteti realizohet në kuadër të projektit Erasmus+ KA171-2026. Për këtë thirrje ofrohet 1 vend për student dhe 1 vend për staf akademik.
Rzeszów është qyteti kryesor i Polonisë juglindore, me qendër historike, jetë studentore aktive dhe kosto jetese të përballueshme.
Mobiliteti për studentë (SMS)
Periudha: Semestri veror 2026/2027 (nga fundi i shkurtit 2027)
Kohëzgjatja: 1 semestër (rreth 4–4.5 muaj)
Bursa: bursë Erasmus+ për gjithë semestrin dhe kontribut për shpenzimet e udhëtimit
Tarifa e shkollimit: studenti/ja nuk paguan tarifë shkollimi në University of Rzeszów
Fusha e studimit: duhet të jetë e njëjtë me atë që studenti/ja ndjek në Kolegjin Universum – Ferizaj
Lëndët në anglisht: www.ur.edu.pl/en/courses
Kandidati/ja duhet të:
Jetë student/e i/e regjistruar në Kolegjin Universum – Ferizaj;
Jetë së paku në vitin e dytë të studimeve Bachelor gjatë mobilitetit;
Njohë gjuhën angleze së paku në nivelin B1, ose B2 për studentët e filologjisë;
Nëse ka qenë më parë në Erasmus+, kohëzgjatja e përgjithshme e mobiliteteve të mos kalojë 12 muaj për ciklin e studimeve.
Mobiliteti për staf akademik (STA)
Aktiviteti: 8 orë ligjërata në University of Rzeszów
Kohëzgjatja: 5 ditë pune (e hënë – e premte); udhëtimi bëhet gjatë fundjavës
Bursa: bursë Erasmus+ për 7 ditë dhe kontribut për shpenzimet e udhëtimit
Kandidati/ja duhet të:
Jetë staf akademik në Kolegjin Universum – Ferizaj, në një fushë që përputhet me marrëveshjen ndërinstitucionale;
Njohë gjuhën angleze së paku në nivelin B2;
Ketë një program të qartë mësimdhënieje për 8 orë ligjërata.
Përparësi kanë
Kandidatët që nuk kanë marrë pjesë më parë në Erasmus+ në University of Rzeszów;
Studentët me notë mesatare më të lartë;
Kandidatët me motivim të qartë dhe plan të mirë për mobilitetin.
Studentët me më pak mundësi
Studentët që i përkasin grupit me më pak mundësi (p.sh. me aftësi të kufizuara, nga familje me gjendje të vështirë ekonomike, ose me pengesa të tjera) përfitojnë bursë më të lartë, sipas rregullave të programit Erasmus+. Këta studentë inkurajohen veçanërisht të aplikojnë dhe ta dëshmojnë statusin me dokument.
Dokumentet për aplikim
Studentët:
CV në gjuhën angleze;
Letër motivimi (Motivation Letter);
Transkripta e notave (Transcript of Records);
Dëshmi e njohjes së gjuhës angleze (certifikatë ose dokument tjetër);
Dokumenti për statusin e "më pak mundësive", nëse aplikohet.
Stafi:
CV në gjuhën angleze;
Propozimi i programit të mësimdhënies (8 orë);
Dëshmi e njohjes së gjuhës angleze (niveli B2).
Si të aplikoni?
Aplikimi bëhet online duke klikuar KËTU dhe duke bashkëngjitur dokumentet e kërkuara.
📅 Afati i fundit për aplikim: 5 tetor
Përzgjedhja bëhet në mënyrë transparente, me trajtim të barabartë për të gjithë kandidatët. Pas përzgjedhjes, Zyra Ndërkombëtare i nominon kandidatët në University of Rzeszów dhe u ndihmon me Learning Agreement e dokumentet tjera.
Studentët nga Kosova duhet të pajisen me vizë për Poloni, prandaj procedurat duhet të fillojnë menjëherë pas nominimit. Pjesëmarrësit duhet të kenë edhe sigurim shëndetësor për gjithë periudhën e mobilitetit.
Për pyetje, kontaktoni Zyrën Ndërkombëtare të Kolegjit Universum – Ferizaj.
Ju urojmë suksese në aplikim!